Unioni
Pse USM
Shoqëria sot ka një dinamikë shumë të shpejtë. Shkolla, puna apo shoqëria tërheqin çdokënd drejt vetes, e rrjedhimisht merr nga koha që çdo student musliman duhet të pozicionojë për të ruajtur dhe zhvilluar fenë e tij.
Kjo është diçka mjaft normale për natyrën e njeriut, ndaj dhe Profeti ﷺ na këshillon:
“Njeriu është në fenë e shokut të tij.”
Të jesh vetëm i vështirëson sfidat. Nuk ke ku të mbështetesh për këshillim dhe orientim. Dhe sa më shumë të jesh i ngarkuar me veten tënde, aq më pak kohë të mbetet për të kontribuar në dobi të të tjerëve.
Prandaj bashkësia është nevojë e patjetërsueshme, sidomos për ne si muslimanë.
“Kapuni fort të gjithë për litarin e Allahut dhe mos u përçani.”
Ali Imran, 3:103
Kjo këshillë na drejtohet si një bashkësi, e jo individualisht, që nënkupton nevojën për të qenë të organizuar në zbatimin e fesë sonë.
Projektet individuale sjellin dobi, por ndërtimi i një bashkësie sjell dobi shumë më të madhe dhe afatgjatë. Struktura garanton vazhdimësinë e nismave, pavarësisht individëve apo rrethanave të një kohe të caktuar. Studentët që vijnë pas nuk e nisin çdo gjë nga e para, por trashëgojnë diçka të ngritur tashmë. Ky është një zbatim konkret i konceptit të Vakefit: një kontribut në shërbim të bashkësisë, që nuk mbetet pronë e askujt.
Ky koncept nuk është i ri, as për ne si muslimanë, as për këdo tjetër. Të jesh pjesë e një strukture që i përket identitetit tënd, e cila zhvillon njerëzit e saj dhe përpiqet të mbrojë interesat e tyre në shoqëri është normalitet.
Ky është Unioni Studentor Musliman: bashkësia e pavarur e studentëve muslimanë në Shqipëri.
Nuk është një projekt që i përket disa individëve, por një strukturë që u përket të gjithë studentëve muslimanë, ku vendimarrja i takon plotësisht atyre që e ndërtojnë, pa harruar gjithmonë konsultën e vazhdueshme me hoxhallarë, pedagogë dhe intelektualë të ndryshëm.
Rolet dhe përgjegjësitë kalojnë te të rinj të tjerë sa herë që studentët diplomohen dhe brezat ndryshojnë. Ajo që mbetet është organizimi, projektet dhe puna e ngritur brenda tij.
Nëse je student musliman, atëherë dije se Unioni u ngrit për ty. Ai të përket ty aq sa çdo studenti musliman.
Mund të vish thjesht si pjesëmarrës. Mund të vish për të ndërtuar dhe zhvilluar. Mund të vish me një shqetësim që kërkon zgjidhje, ose me një ide që kërkon njerëz.
Dera jonë është gjithnjë e hapur për ty.
Bëhu pjesë e Unionit →Nëse ke një shqetësim ose një ide për një projekt,na shkruaj këtu.
